Kurti në Bratisllavë mbron veprimet e policisë në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ka ndihmuar vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, ka thënë Kurti në një adresim nga Bratisllava.
Ai e ka përsëritur këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, ka thënë Kurti.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb. /REL