Kurti në Çabrat të Gjakovës: Sakrifica e këtyre burrave dhe grave gjendet në themelet e lirisë së Kosovës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministra, deputetë, zëvendësministra, asamblistë, aktivistë e bashkëqytetarë, ka bërë homazhe në varrezat e martirëve në kodrën e Çabratit në Gjakovë, me rastin e ditëve përkujtimore të “Epopesë së Çabratit”
Kurti në fjalën e tij para familjarëve të pranishëm, ka thënë se sakrifica e këtyre burrave dhe grave të Gjakovës, gjendet në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Vrasjet në numër të madh të burrave, grave, pleqve e fëmijëve, trupat e të cilëve gjenden këtu e në vende tjera, tregojnë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe tentativë për shfarosjen e popullit shqiptar, projekt ky i cili ka dështuar si rezultat i luftës sonë të shenjtë çlirimtare. Sot 25 vite më vonë, shteti i Kosovës është në mënyrë të pa diskutueshme më i fortë, me ushtrinë e policinë e Kosovës të cilët nuk do të lejojnë që kurrë të përsëritet diçka e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior vazhdon sulmet ndaj shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë Kurti, shkruan “Ekonomia Online”.