Kurti në Cyrih, merr pjesë në hapjen e sallonit të mobilieve të prodhuara në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të sallonit të mobileve dhe prodhimeve të drurit të prodhuara në Kosovë, të kompanive Mobile Dekor, Shehu L.L.C dhe AMW Interior, biznese këto nga diaspora jonë në Zvicër.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kjo është dëshmi e qartë e potencialit të cilësive që vijnë nga prodhimet tona, dhe një dritare drejt tregjeve botërore për mobiliet “Made in Kosova”.
“Ne në Kosovë, kemi bërë përparime të jashtëzakonshme në demokraci dhe sundim të ligjit në këto tre vitet e fundit, dhe kjo padyshim që ka frymuar një zhvillim të shpejtë edhe të sektorit privat. Me një renditje nga Freedom House si vendi i tretë në botë për përparim në demokraci, dhe duke i shtuar rezultatet më të mira në vendin tonë prej se jemi çliruar, kemi dëshmuar angazhimin tonë i cili konsiston në kombinimin e zhvillimit ekonomik me progres demokratik”, shtoi kryeministri.
Ai theksoi se edhe përmes luftimit të korrupsionit, kemi ndihmuar në krijimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë e që ka sjellë rritje ekonomike, e sidomos rritje të eksportit dhe të investimeve të huaja.
“Është një dëshmi e fortë se demokracia dhe sundimi i ligjit janë çelësi për prosperitetin ekonomik. Kësisoj, për më pak se tri vjet, Republika e Kosovës ka më shumë eksporte, sesa për më shumë se 6 vjet të periudhës paraprake. Kjo tregon se sa dinamik është sektori privat në Kosovë”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se kompanitë tona jo vetëm që prodhojnë mallra me cilësi, por ato janë edhe të afta edhe të qëndrojnë në tregjet ndërkombëtare.
“E kjo sjell rritje ekonomike, krijon vende pune, por gjithashtu e përmirëson dhe imazhin dhe reputacionin e shtetit tonë në botë”, tha Kurti.
Ai tha se në këtë udhëtim drejt suksesit në tregjet ndërkombëtare, është thelbësore që kompanitë tona të kenë qasje në burimet e duhura dhe ky showroom këtu në Cyrih është veçse fillimi.
“Së bashku, me këto e kompani tona e shumë e shumë të tjera, me mbështetjen e qeverisë, dhe me partneritetin tonë me organizata si USAID, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për Kosovën brenda shtetit e në skenën ndërkombëtare”, shprehet kryeministri.