Kurti në Drenas, takon dy shokët e tij të burgut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar sot në komunën e Drenasit, ku është shënuar 24-vjetori i masakrave në Poklek e Çikatovë.
Kurti ka bërë të ditur se me këtë rast ka takuar edhe dy shokët e tij të burgut, Milazim Mustafa dhe Elmi Gjylani.
“Në Drenas, takova sot dy shokët e mi të burgut, Milazim Mustafën dhe Elmi Gjylanin, ish të burgosur politik. Për të parën herë ishim takuar në burgjet e Pozharevcit e Nishit, në vitin 1999. Këtë herë, me ta ishin bijtë e tyre, të rritur. Në kohën e vuajtjes së dënimit, Asdren Mustafa ishte 3 vjeçar, ndërsa Altin Gjylani ishte foshnje, vetëm disa muajshe”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se në sytë e dy shokëve të tij rrëzëllen dashuria për Kosovës.
“Milazimi ishte burgosur së bashku me dy vëllëzërit e tij, Halilin dhe Përparimin. Kujtuam bashkë vëllaun e vogël të tij, Përparimin, i cili ka ndërruar jetë më 5 shkurt të këtij viti, pas një infarkti. Ai ishte idealist e punëtor, ish i burgosur politik, që pas luftës, për 22 vite kishte punuar si vozitës i furgonit. Në sytë e Milazimit e Elmisë rrëzëllen dashuria për Kosovën, e në fjalët e tyre nuk dëgjohet tjetër veçse urata për kombin. Kështu i mbajë mend në burg, si motivues e shokë që të qëndrojnë pranë, kështu janë po edhe sot”, ka shkruar ai.