Kurti në Dubrovnik: Ulim numrin e njësive speciale të policisë kur të mos ketë ekstremistë të dhunshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në veri shteti ka të bëjë me “ekstremistë të dhunshëm, ultra-nacionalistë, të djathtë ekstremë që besojnë në ‘Botën Serbe’ dhe e shohin me botën ruse…këta janë njerëz që adhurojnë Sllobodan Millosheviqin dhe Vladimir Putinin”.
Kurti nga i cili pritet që të adresojë kërkesat unanime të komunitetit ndërkombëtar trans-atlantik është shprehur se Kosova “ka nevojë për sundim të ligjit dhe një datë për zgjedhje të reja”, ndërsa “për uljen e prezencës së njësive speciale” në afërsi të komunave, ai është shprehur se kjo gjë konsiderohet kur të mos ketë “ekstremistë të dhunshëm”.
Në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë”, Kurti ka folur edhe rreth zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve “si rrugë përpara” dhe si “marrëveshje që duhet zbatuar”.
“Është një arritje e madhe e Bashkimit Evropian. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve”, ka cituar Radio Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe).
Kryeministri i Kosovës ka thënë në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai iu bashkua dialogut me Serbinë sepse ishte “organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson atë bisedë”.
In Dubrovnik 🇭🇷 I spoke on the panel "European Croatia: Retrospective & Prospective". I presented democratic and economic progress of Kosova, said that EU can both reform and enlarge at the same time and we look up to Croatia as a good example of both EU and NATO membership. pic.twitter.com/Y9BoKlNHqV
— Albin Kurti (@albinkurti) June 9, 2023