Kurti në ekspozitën ‘Bebëzat e mallit’, dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vizitoi ekspozitën “Bebëzat e mallit”, të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë.
Kurti ka theksuar se krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë, është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.
“Mirënjohje e falënderim për bashkërendimin e përpjekjeve të institucioneve dhe partnerëve tanë që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti. Ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë. Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre. Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri. Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë”, ka theksuar Kurti.