Kurti në Forumin e Prespës: BE-ja është e ngadaltë dhe po i mungon uniteti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në Samitin e Prespës, e ka shprehur zhgënjimin ndaj Bashkimit Evropian për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Si vend që na është mohuar liberalizimin i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj. BE-ja është e ngadaltë, i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi. Ne i takojmë këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe jemi shtete fqinje të shteteve të BE-së”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova e refuzon ashpër “Mini Shengenin” dhe se rajoni duhet t’i kthehet agjendës së Bashkimit Evropian.
Ai ka pohuar se kjo iniciativë nuk ka vizion për rajonin.