Kurti në Gjermani: Patriotët dhe punëtorët më të mëdhenj janë në diasporë, jo në Kosovë
Audiencë për monologje vetëlavdëruese e fjalë të ngjyera në mjaltë për masazhim psikologjik të të tubuarve.
Para disa qindra të tubuarish në një sallë dykatëshe në Frankfurt, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – në tone zgjedhore e me fjalë të thurrura këndshëm për veshë të audiencës – bëri edhe një ndarje që këtë fushatë zgjedhore tashmë veçse e ka përforcuar: atë se punëtori domethënës nuk gjendet në Kosovë, por jashtë vendit.
Por, jo vetëm punëtori: patrioti, studenti dhe mendjet e ndritura po ashtu.
Krejt këtë (a)venturë ligjëruese e nisi me një thënie të Faik Konicës në vitin 1901: që “të gjitha ndryshimet politike kanë pasur përherë dy faktorë – emigrantët dhe një elitë të vogël intelektuale të lindur brenda vendit”.
Këtu e përdrodhi dhe ia dha kahjen: tash elita s’është as e vogël, e as brenda vendit.
”Ky është kombinimi fitues për kombin tonë. Por, përderisa atë kohë thuhej ‘elita brenda vendit’ ne në fakt sot filluam takim me studentë, ekspertë e shqiptarë në Frankurtë, për t’u bindur se jo vetëm patriotët më të devotshëm dhe punëtorët më të mëdhenj, por edhe studentët dhe punëtorët më të zotë i kemi në diasporë”, tha Kurti, transmeton Nacionale.
Këtu Kurti nisi të provojë të thyejë dikotominë e zakonshme brenda/jashtë dhe ta paradoksalizojë në funksion të vet.
“Prandaj kur themi që ne atje jemi brenda e ju jasht, nuk jemi të sigurt; sepse kur i ke punëtorët e patriotët më të devotshëm në diasporë, dhe i ke mendjen më të ndritura jasht, pra edhe zemra edhe truri edhe muskuli, atëherë të lind pyetja kush është brenda kush është jashtë?”.
Ndoshta na atje brenda jena më jashtë se ju, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne që jemi atje. Me mundim dhe djersën tuaj janë paguar mësimdhnësit e gjuhës shqipe, por edhe u financua lufta çlirimtare e rezistenca paqësore, e sot asaj dite dërgesat tuaja janë 20% e BPV”, shtoi ai.
Gati 50%, pretendoi para tyre, është rritur Brudo Produkti Vendor – për të rënë në kundërthënie më pastaj se për tri vite BPV është rritur nga 6.2% mestarisht në vit (Aha!).
“Ekonomia e Kosovës krahasuar me vitin 2000 është mbi gjashtë fish më e madhe; krahasuar me Pavarësinë është tre fish më e madhe, dhe në këto 3 vite e kemi pasur rritjen ekonomike 6.2% të BPV-së mesatarisht”.
“Ka pasur edhe shtete të tjera që janë rritur për nga ekonoia, por të vogla ato raste e të rralla ato shtete që e kanë rrit kaq shumë ekonominë pa i shkel të drejtat e njeriut, pa e cenuar demokracinë, pluralizmin politik, pa e shkelur ligjin, duke e pas njëkohësisht progres demoratik”.
“Kanë shku bashkë, jo njana në kurriz tjetër. Jemi rast unik i një përparimi të tillë”, ka thënë Kurti mes tjerash.