Kurti në gjykatë, dëshmon ndaj Haxhi Hotit i cili akuzohet se e kërcënoi
15 shtator 2021
| 11:28
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit në rastin ku ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, po akuzohet për kërcënimin e tij.
Hoti po akuzohet se përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” në dhjetor të 2019-ës, ku kishte shkruar “Albin Kurti duhet ta lëshojë Kosovë, ose do të vritet”, ka kryer veprën penale të shtytjes në kryerje të veprës penale vrasja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e cila po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryeministri Kurti, i dëmtuar në këtë rast, ka dhënë dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Javorka Prilinçeviç dhe mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Rasim Hoti.