Kurti në hapjen e panairit ‘Mirëserdhët në Janjevë’: Po e rikthejmë shkëlqimin e dikurshëm e gjallërinë ekonomike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka marrë pjesë në hapjen e panairit “Mirëserdhët në Janjevë”.
Nga aty, Kurti ka folur për investimet që janë duke u bërë në këtë qytezë. Ndër të tjerash, shefi i ekzekutivit tha se përmes tri dikastereve, Janjeva po përfiton projekte në shumë fusha.
Sipas tij, nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike.
“Qeveria jonë po investon përmes tri ministrive këtu. Ministria e Kulturës në restaurimin e dhe funksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e kapaciteteve për turizëm dhe zhvillim. Mandej, Ministria e Zhvillimit Rajonal për infrastrukturë rrugore të qytezës së Janjevës si dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet”.
“Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës janjevase e cila ka migruar në Kroaci duke krijuar mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëfinancim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike”, është shprehur Kurti.