Kurti: Në këto rrugë që parakalojnë ushtarët e Kosovës, dikur parakalonin protestuesit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në sheshet e Prishtinës ku parakalojnë ushtarët e FSK-së, në të kaluarën kanë parakaluar protestuesit.
Sipas Kurtit, sot Kosova qëndron më mirë dhe se për këtë është dashur shumë punë.
“Këto rrugë që do të parakalojnë forcat tona, janë rrugë që dikur parakalonin protestuesit. Është dashur shumë mund dhe shumë punë që të vije kjo ditë. Në këtë ditë të shenjtë kujtojmë Demaçin, Rugovën dhe Jasharajt. Vendi ynë ka kaluar shume sfida muajt e fundit, por policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë. Teksa në sfond ndryshon gjendja globale e sigurisë, FSK punon çdo ditë që ta ndjek këtë ritëm”, ka thënë Kurti, duke përmendur edhe shtimin e buxhetit për FSK dhe të ushtarëve në të rinj.
“Sivjet kemi edhe 612 ushtarë të rinj. Buxheti për mbrojtje është rritur vitin e kaluar për 52 për qind e sivjet e kemi rritur edhe 20 për qind. Ashtu si ditën kur u shpall pavarësia, edhe sot, edhe nesër, Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve, pa dallime etniteti e religjioni”, ka thënë Kurti.