Kurti në konferencë virtuale me gazetarë të medieve të huaja

20 prill 2020 | 23:46

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka mbajtur një konferencë virtuale me gazetarë të medieve të huaja.

Në këtë konferencë, në të cilën ishin prezentë mbi 35 mediume ndërkombëtare, kryeministri në detyrë i njoftoi mbi masat të cilat Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë me qëllim menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të Covid-19, zhvillimet politike të cilat çuan deri te rrëzimi i Qeverisë dhe “rrugën që kemi përpara për zgjedhje të reja si e vetmja alternativë pas mocionit të mos-besimit”, siç ka thënë Kurti.

Në lidhje me Covid-19, kryeministri në detyrë bëri një përmbledhje të situatës, duke renditur dhe shpjeguar masat e vendosura të cilat kanë rezultuar me një situatë ku Kosova vazhdon të ketë një prej shkallëve më të ulët të vdekjeve në rajon, derisa gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë nën kontroll.

Kryeministri në detyrë po ashtu tha se krahasuar me vendet tjera evropiane, ka trashëguar një sistem të rrënuar shëndetësor dhe si rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit në vend ndër vite Kosova ka humbur shumë staf mjekësor për në Bashkimin Evropian. “Prandaj në luftimin e Covid-19 nuk kemi zgjedhje më të mirë se sa parandalimi”, ka thënë ai.

Ai u shpreh krenar me punën e stafit mjekësor si dhe me punën e policisë e cila ka një detyrë shumë të vështirë në zbatimin e masave për luftimin e Covid-19.

Kryeministri në detyrë foli edhe për ngjarjet që paraprinë dhe shkaktuan mocionin e mosbesimit. Ai filloi nga 6 tetori 2019, kur qytetarët me votën e tyre të lirë dhe demokratike, dërguan në opozitë qeverisjen e kaluar dhe votuan për ndryshim duke përcaktuar edhe fituesin e zgjedhjeve edhe kryeministrin.

Ai tha se gjatë zgjedhjeve është fokusuar në dy çështje, në punësim dhe drejtësi.

Në fund tha se rruga përpara, pas rrëzimit të Qeverisë, janë zgjedhje të reja të cilat do të freskojnë legjitimitetin e institucioneve qeverisëse. Jemi në detyrë dhe nuk ka vakum deri në zgjedhje të reja.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 20 prill 2020 bëhen tri vite nga vdekja e…