Kurti në Kongresin e SPD-së në Gjermani: Kosova, shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë
Në vizitën e radhës zyrtare në Berlin, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Hajurlla Çeku dhe nënkryetaren e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani-Myrtaj, morën pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së.
Kurti ka treguar se në margjinat e këtij kongresi ka takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz, ku, sipas tij, u dëshmuan marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
“Fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës dhe me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me Kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil. Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se nuk mund të mungonte dhe takimi me mërgatën, ku biseduan mbi një mori temash. “I interesuar jo vetëm për t’i informuar me ecurinë e aktualitetin e vendit tonë, por edhe për të dëgjuar rreth jetës e përvojës së tyre, përshtypjeve e ideve të diasporës”, ka shkruar Kurti.