Kurti: Në Kosovë ka shumë rrugë me emrin e Adem Demaçit, por kjo në Çair ka një rëndësi shumë të veçantë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Çairi, ka thënë se dy javë më parë ishte përvjetori i pestë i vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi, ndërsa sot po përurohet rruga me emrin e tij në komunën e Çairit në Shkup.
Kurti ka thënë se emërtimi i një rruge në Maqedoninë e Veriut me emrin e Adem Demaçit e ka një rëndësi të veçantë.
Më tutje, Kurti ka thënë se Demaçi me aktivitetet e tij që i kishin kushtuar 28 vjet burgim ishte bërë simbol i paepur për lirinë e shqiptarëve në Jugosllavi.
“Nga përvoja ime e bashkëpunimit me bacën Adem, e di që figura më e dashur politike e shekullit 20 ishte Hasan Prishtina. Sot teksa kujtojmë Adem Demaçin, natyrshëm kujtojmë edhe Hasan Prishtinën, i cili nesër, por 111 vjet më parë erdhi dhe çlirojë Shkupin bashkë me Bajram Currin dhe Isa Boletinin, ndërsa pasnesër 90 vjet më parë u vra mizorisht në Selanik”, ka thënë Kurti, raporton “SHENJA”.