Kurti: Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik

01 qershor 2021 | 13:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, do të mbahet nga mesi i qershorit.

“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, ka thënë Kurti pas vizitës në Parkun e Biznesit në Prizren.

I pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka thënë Kurti.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…