Kurti në Lipjan bën thirrje për respektim të thirrjeve të IKShP-së
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vazhduar sot vizitat nëpër disa komuna të Kosovës, për t’u informuar nga kryetarët për gjendjen pas përhapjes së koronavirusit.
Kurti sot ka qëndruar në Lipjan, ku është takuar me kreun e kësaj komune, Imri Ahmeti.
Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë dhe anëtarë të Shtabit Emergjent Lokal e njoftuan kryeministrin dhe ministrat për gjendjen rreth COVID 19 në komunën e Lipjanit, për respektimin e masave të caktuara nga qeveria, për ministritë dhe IKShP-ja, si dhe për angazhimet e komunës për menaxhim të kësaj situate.
Pas takimit kryetari Ahmeti shprehu rëndësinë e këtij takimi në aspekt të koordinimit me nivelin qendror dhe kërkoi edhe një herë nga qytetarët për ta vazhduar respektimin e masave që i shërbejnë parandalimit të përhapjes së virusit COVID 19.
Ndërkaq kryeministri Kurti bëri me dije se në vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave të Kosovës, sot vizitoi Komunën e Lipjanit, për të parë nga afër situatën në këtë komunë.
Ai bëri apel tek të gjithë për ta shtuar disiplinën në ditët dhe javët në vijim të këtij muaji vendimtar, për ta tejkaluar këtë krizë shëndetësore me sa më pak pasoja dhe sa më shpejt.