Kurti në njëvjetorin e qeverisjes: Janë shënuar rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në njëvjetorin e votimit të qeverisë, ka thënë se gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit.
Këto të arritura, Kurti ia ka treguar historianit, Oliver Jens Schmitt, gjatë takimit që ka zhvilluar të martën në zyrën e tij.
Ndërsa historiani Schmitt e ka përgëzuar kryeministrin për të arriturat dhe për stabilitetin politik në qeverisje. Ai e ka vlerësuar Kosovën si vendin me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë.
“Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës”, ka thënë Schmitt.
Ndër të tjera, ata kanë diskutuar edhe për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.
Ka shkruar disa libra me analiza për historinë dhe figurat shqiptare: “Historia e shqiptarëve”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike”, etj.
Në fund të takimit, Schmitti ia ka dhuruar Kurtit librin e tij të fundit, përmbledhjen në pesë vëllime të korrespondencave të konsujve austriakë për Kosovën me titull: “Politika dhe shoqëria e Vilajetit të Kosovës”.