Kurti në Podujevë tregon si të ndërpritet greva
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se mënyra për të dalë nga greva në arsim është që mësimdhënësit të shkojnë në punë.
Kurti këto komente i ka bërë në Llugë të Podujevës, aty ku është vënë gurthemeli i një shkolle të re.
“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit në shkolla, meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim. Ne i kemi marrë masat e nevojshme sociale si asnjë qeveri më parë”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se pakoja kundër inflacionit i përfshin edhe mësimdhënësit.
“Ministrja e Arsimit e ka shpjeguar pa numër herë sesi ne kemi ndarë mjete për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda. Tash ne e kemi pakon për përballje me inflacionin, ku përfshihen edhe mësimdhënësit”, ka deklaruar Kurti.
Por, pavarësisht thirrjes së tij, greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti.