Kurti në pritjen lamtumirëse të shefit të EULEX-it: Sundimi i ligjit në Kosovë s’ka qenë kurrë më i fortë

08 qershor 2023 | 12:30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen lamtumirëse  për nder të shefit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, në përfundim të mandatit të tij.

Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit është thënë se mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme.

“Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën e tij në krye të kësaj organizate, kryeministri Kurti ka thënë se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë.

Përkundrazi, sipas tij, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre.

Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë “nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit”.

“Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht. Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi”, ka njoftuar zyra e Kurtit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova është…