Kurti në Prizren: Do t’i ndihmojmë fermerët, industrinë ushqimore dhe marketet
Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, kanë vizituar sot Qumështoren “Sharri”. Kurti ka thënë se është njoftuar me sfidat dhe problemet e kësaj kompanie. Ai ka bërë me dije se kjo kompani nuk ka aplikuar për Pakon Emergjente.
Më tutje, Kurti ka thënë se Kosova duhet të jetë gjithmonë pranë prodhuesve vendës. “Sot e vizituam qumështoren ‘Sharri’, që është një biznes 20 vjeçar, i cili është ngritur me fuqi të veta dhe ka marrë pozitë të rëndësishme në tregun e Kosovës nëpërmjet cilësisë dhe përkushtimit të pronarëve. Në këtë mënyrë na njoftoi me planet e tij për investime në të ardhmen dhe sfidat që i ka pas. Për mua ishte befasuese që qumështorja ‘Sharri’ nuk e ka shfrytëzuar mundësinë në kuadër të Pakos Emergjente dhe gjithçka ka bërë me mundësitë e veta. Shteti i Kosovës duhet të jetë para prodhuesve. Ne jemi duke i liberalizuar masat për bizneset në përgjithësi e sidomos për fermerët sepse e dimë se tash është stina e tyre dhe hallka e parë do të jenë fermerët, hallka e dyte industria ushqimore dhe hallka e tretë rrjeti i marketeve”, ka thënë Kurti.
Veli Halimi, pronar i Qumështores “Sharri”, ka thënë se e kanë njoftuar kryeministrin lidhur me problemet që janë ballafaquar. Ai ka shtuar se nuk i ka rrezikuar ardhja e produkteve nga Serbia pas heqjes së taksës, raporton EO. “Ne e falënderojmë kryeministrin që në këtë kohë na ka vizituar dhe ne biseduam për problemet tona dhe për mundësitë e investimeve”, ka shprehur mendimin Halimi.