Kurti: Në qeverinë tonë ka ministra, zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë që vijnë nga diaspora

19 maj 2023 | 13:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mori pjesë në edicionin e tretë të konferencës “Diaspora Flet”, e organizuar nga organizata GERMIN me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në fjalën e tij Kurti, tha se diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës.

Ai tha se brenda dyvjeçarit të parë të mandatit të tyre qeverisës kanë arritur t’i përfshijnë në diskutim mbi 20 qendrat kryesore ku jeton dhe vepron mërgata.

“Gjithashtu, jemi angazhuar për të ofruar mënyra inovative për të përfshirë diasporën në proceset e hartimit të politikave duke u bërë pjesëmarrës aktiv në jetën e përditshme të vendit tonë. Andaj, në Qeverinë tonë ka ministra, ka zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë të angazhuar, të cilët vijnë nga diaspora”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti u shpreh se po përmbushet edhe një zotim tjetër i qeverisjes sa i përket procesit të votimit, i cili sipas tij, parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

Gjatë konferencës Kurti, deklaroi se bashkë me Shqipërinë, janë duke punuar te pjesa e mësimit plotësues, në veçanti ofrimi i librave për fëmijët, që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por edhe në planin e përbashkët për të adresuar sfidat e shumta që kemi për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit.

Andaj, theksoi ai, këtë verë, në kuadër të Seminarit të Përbashkët të Gjuhës Shqipe, që do të mbahet në Shqipëri, theksi do të jetë te koncept-dokumenti për adresimin e sfidave që kemi para me mësimin plotësues të gjuhës jashtë vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka suspenduar përmbaruesin, Irfan Këçagu,…