Kurti në Rezallë: Kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
Në përvjetorin e 23-të të masakrës së Rezallës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë bërë homazhe në Rezallë.
“Vendosëm lule të freskëta këtu te lapidari dhe varrezat e këtyre martirëve të kombit, të cilët u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në trojet e tyre stërgjyshore. 98 burra dhe djem u grumbulluan dhe u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm 3 që kanë shpëtuar, kjo ju ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë, andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për rivarrimin në muajin tetor 2021, të eshtrave të nëntë viktimave të Rezallës, kryeministri Kurti ka theksuar se me ekzekutim mizor e barbar, forcat serbe ua vodhën jetën e pastaj ua vodhën edhe kufomat.
“Më 30 shtator të vitit 2021, u kthyen në Kosovë eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak, Serbi, që sipas raporteve të identifikimit, iu përkisnin shtatë identifikimeve të reja nga masakra e Rezallës, si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht, përveçse nga ne shqiptarët që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojnë në mënyrë që përgjegjësit edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, ka theksuar kryeministri Kurti.