Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Nuk mund të ecet përpara duke injoruar mësimet nga historia
Demokracia funksionale, përballja me të kaluarën dhe zhvillimi ekonomik dhe drejtësia sociale, u theksuan si të domosdoshme për Ballkanin Perëndimor nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e dytë të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”.
Në hapje të Samitit, titulluar “Promovimi i gjithëpërfshirjes dhe solidaritetit të Evropës”, kryeministri Kurti theksoi nevojën për demokraci funksionale dhe sundim të ligjit kundër autokracisë dhe korrupsionit.
“Tendenca në Ballkanin Perëndimor dhe brenda Bashkimit Evropian për shmangie nga vlerat dhe parimet kryesore demokratike, paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin e rajonit tonë”, tha ai.
“Për të filluar me të vërtetë pajtimin duhet ballafaquar e kaluara; me të gjithë gjakderdhjen, spastrimin etnik, gjenocidin dhe mizoritë e kryera në vitet ’90, por pa ndjenjën e përgjegjësisë apo pendimit nga agresori. Kjo është e gabuar. Nëse nuk ndjeni asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur, atëherë do ta përsërisni prapë”, tha kryeministri Kurti.
Ai ka shtuar se Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian u ndërtua mbi themelet e pranimit të përgjegjësisë dhe përballjes me të kaluarën. “Ne në Ballkanin Perëndimor duhet të ndjekim të njëjtën rrugë”, shtoi ai.