Kurti në samitin e Berlinit: Nga 1 janari, Kosova lejon lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës
Në fjalimin e tij në Samitin e Procesit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e integrimit evropian për vendin dhe rajonin.
Ai ka potencuar se pas dy vjetësh, Kosova duhet të marrë statusin zyrtar të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në 3.5 vjetët e fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti e ka nisur fjalimin duke përmendur se Procesi i Berlinit, i nisur në gusht të vitit 2014, ka ndihmuar në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka deklaruar se, pavarësisht sfidave, rajoni vazhdon të jetë në agjendën e BE-së dhe se Tregu i Përbashkët Rajonal është një arritje e rëndësishme.
“Republika e Kosovës do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka njoftuar Kurti, duke shprehur angazhimin për të avancuar lidhshmërinë rajonale.
Ai gjithashtu ka theksuar nevojën për të ruajtur vlerat evropiane dhe për të shmangur ndikimin e huaj, sidomos nga Kina.
Kryeministri përfundoi duke kërkuar njohjen e përparimit të Kosovës në fushën ekonomike, demokratike dhe të sigurisë, duke e bërë apel për mbështetje në rrugën drejt BE-së.
“Njohja e arritjeve tona është një dëshmi e përkushtimit të BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj,” ka përfunduar Kurti.