Kurti në samitin e Vjenës: Të hiqen vizat për Kosovën
Nën organizimin e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, sot u mbajt samiti i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesë e këtij samiti ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij Kurti ka theksuar se Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19.
“Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë Covid-19”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova “me qeverisjen e mirë dhe demokratike” ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi.
“Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, “Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”.
“Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në”, ka thënë Kurti.