Kurti në Sarajevë takohet me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjës, i kërkon heqjen e vizave për Kosovën

06 dhjetor 2024 | 16:42

Kryeministri Albin Kurti në Sarajevë është takuar me zëvendëspresidentin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Refik Lendo, me të cilin, siç ka njoftuar  Zyra e Kryeministrit (ZKM), kanë diskutuar rreth marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rreth mundësive për shtim dhe thellim të bashkëpunimit.

“Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin Lendo për mikpritjen e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë. E njoftoi atë për përgatitjet që institucionet e Republikës së Kosovës po bëjnë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Procesit të Berlinit për lëvizje me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në drejtim të Kosovës, duke filluar nga 1 janari 2025”,  ka njoftuar ZKM-ja.

Sipas këtij njoftimi, Kurti në takim ka theksuar  rëndësinë që edhe Bosnja dhe Hercegovina “të ratifikojë sa më parë” këtë marrëveshje ashtu që të fillojë zbatimi i saj nga të dy palët.

“Lendo ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për vendimin në lidhje me lëvizjen e lirë me letërnjoftime dhe shprehu shpresën që edhe vendi i tij të zbatojë masë reciproke për qytetarët e Kosovës në një të ardhme të afërt. Përgjatë bisedës, u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional në arritjen e objektivave të përbashkëta sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe për instrumente dhe platforma të përbashkëta që do të mundësonin rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit dhe sigurisë”,  ka njoftuar ZKM-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka thënë se Botërori i…