Kurti në Strasburg: Kosova po dëshmon se është shtet i ndërtuar me vlera evropiane
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se Kosova po e dëshmon që është shtet i ndërtuar me vlera evropiane.
Ai ka folur rreth çështjes së liberalizimit të vizave, ku ka thënë se shpreson që më në fund qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024.
“Derisa presim hapat e ardhshëm, shpresojmë se qytetarët tanë kanë për të qenë në gjendje të udhëtojnë pa viza në Evropë nga 1 janari i vitit 2024”.
“Përveç liberalizimit të vizave, më 15 dhjetor kemi aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE. Kjo perspektivë është konfirmuar nga BE-ja”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit, ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku ka theksuar se Kosova është duke u treguar konstruktive dhe kreative në këtë proces.
“Për sa i përket dialogut me Serbinë, jemi konstruktiv dhe kreativ. Besojmë se marrëveshja themelore përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.
“Sa i përket pakicave, besojmë se Kushtetuta jonë ofron kornizën e mirëfilltë për të siguruar të drejtat e pakicave”.
“Kosova është dëshmuar si shteti më demokratike në rajon. Kemi përjetuar një progres të jashtëzakonshëm në dy vjetët e fundit”.
“Kemi bërë shumë reforma të ndryshme. Kosova është vendi i dytë që ka ratifikuar tri marrëveshjet nga procesi i Berlinit”.
“Kosova po demonstron që është vend i ndërtuar me vlera evropiane – e ardhmja e së cilës është BE-ja”, është shprehur Kurti.