Kurti në takim me ambasadorin e Malit të Zi: Fqinjësia e mirë, prioritet i qeverisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha.
“Fqinjësia e mirë është prioritet i Qeverisë së re dhe se takimi me ambasadorin, z. Dinosha është fillimi i këtij rrugëtimi. Si dy shtete duhet të bëjmë shkëmbimin e përvojave me qëllimin e krijimit të raporteve të sinqerta fqinjësore”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Sipas këtij njoftimi, ambasadori Dinosha i ka shprehur kryeministrit Kurti urimet e shtetit të tij, duke e përcjellë edhe urimin e kryeministrit Dushko Markoviq dhe të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.
“Rruga në integrim evropian është rrugë e përbashkët. Sfidat me të cilat ballafaqohen të dy shtetet tona në shumicën e rasteve janë të ngjashme e jo rrallëherë janë edhe të njëjta, prandaj kemi shumë mësime që mund të nxjerrim prej njëra-tjetrës”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/