Kurti në takim me ambasadorin italian: Të gjitha institucionet janë në krye të detyrës kundër Covid-19
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Gjatë takimit, Kurti e ka njoftuar ambasadorin Orlando mbi punën e qeverisë në detyrë lidhur me situatën e krijuar nga pandemia Covi-19 dhe masat e vazhdueshme që qeveria po ndërmerr për parandalimin e shpërndarjes së virusit korona.
Kryeministri në detyrë ka thënë se të gjitha institucionet e veshura me përgjegjësi për zbatimin dhe monitorimin e masave të qeverisë janë në krye të detyrës.
Kurti ka thënë se për qeverinë në detyrë, ruajtja e shëndetit publik mbetet prioritet i padiskutueshëm.
Ndërsa ambasadori Orlando ka treguar gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mes dy shteteve me qëllim të ndarjes së përvojave të cilat do t’i shërbenin të dy shteteve në uljen sa më efikase të lakores së përhapjes së virusit.
Ai ka ripërsëritur falënderimin për solidaritetin që qeveria dhe populli i Kosovës ka treguar ndaj shtetit dhe popullit të Italisë në këto kohë sfiduese për ta.