Kurti në takim me Pahorin: Reflektimi i Serbisë mbi dëmet, shkatërrimet dhe krimet, parakushte për bisedime serioze

29 nëntor 2021 | 16:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të hënë ka pritur në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Në këtë takim, Kurti ka shprehur mirënjohje ndaj shtetit slloven për kontributin që ata e kanë dhënë në misionin e NATO-s në Kosovë.

I pari i qeverisë ka thënë Kosova është e përkushtuar për anëtarësim në NATO dhe BE, ku ka kërkuar përkrahje nga Sllovenia për anëtarësim në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Teksa ka folur për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti ka thënë se gjatë muajit nëntor ka pasur raste njëshifrore të vdekjeve nga Covidi. Sipas tij deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë rreth 65 për qind e të rriturve.

Në këtë takim, Kurti ka folur edhe për përkushtimin, që sipas tij, qeveria po e bën në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa  ka përmendur se Policia e Kosovës ka realizuar rreth 500 operacione e rreth 900 bastisje si dhe ka shkatërruar 41 grupe kriminale.

“Nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të jetë më i fortë sesa shteti ligjor”, është shprehur Kurti.

Më tutje, Kurti ka përmendur edhe përmirësimin  e politikave qeverisëse ka rezultuar me rritje ekonomike, teksa theksoi parashikimin e BQK-së për rritje ekonomike prej 9.9 për qind në vitin 2021.

“Kur nuk ka korrupsion në qeverisje, qytetarët shpenzojnë më shumë dhe i paguajnë tatimet me rregull, sepse nuk frikohen që paratë e tyre do të keqpërdoren”, ka thënë Kurti.

Ndërsa presidenti Pahor në këtë takim, është shprehur i interesuar që të shoh progres në dialogun Kosovë – Serbi, ku tha se përkundër vështirësive, bisedimet duhet të vazhdojnë.

Kurse Kurti e ka vlerësuar rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe ka kërkuar mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë.

Reflektimet e Serbisë për dëmet, shkatërrimet dhe krimet e shkaktuara, për Kurtin janë parakushte për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve. Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se është parësore vendosja në qendër të bisedimeve njohja e ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i PSG-së, Lionel Messi ka shpallur tre favoritët e…