Kurti në takim me Scholz: Ecja përpara duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë
Gjatë qëndrimit në Tiranë në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati takim bilateral me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kryeministri Kurti e falënderoi Kancelarin Scholz për rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë Kosovës.
“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të lidhura me vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë e barazisë”, tha Kurti.
Kryeministri e falënderoi Kancelarin per ri-energjizimin e Procesit të Berlinit të cilin Kosova e mbështet fuqishëm.
U bisedua për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator, ku Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka qenë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga një sulm paraushtarak e terrorist i sponsorizuar nga Serbia.
Kurti theksoi se ecja përpara duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme të përfshirjes së tyre.