Kurti në Tel Aviv kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet mosnjohëse
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, i cili po qëndron në Tel Aviv (Izrael) për të marrë pjesë në mbledhjen e Internacionales Socialiste, ka kërkuar nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
“Me progresistë e socialdemokratë nga mbarë bota diskutuam për sfidat e së majtës dhe krizat ndërkombëtare, për marrëdhëniet bilaterale dhe nevojën që të njihet e pranohet Republika e Kosovës”, ka shkruar Kurti në një postim në profilin e vet në “Facebook”.
Në këtë takim, të pranishëm kanë qenë zyrtarë nga Angola, Mali, Franca, Belgjika, Brazili, Paraguaji, Meksika, Italia, Greqia, Filipinet, Palestina e Izraeli, me të cilët Kurti tha se zhvilloi bashkëbisedime të hapura, impresive dhe të vlefshme.
Në ditën e dytë të mbledhjes së Internacionales Socialiste që u mbajt në Tel Aviv, Kurti ka folur për dallimet mes Izraelit dhe Palestinës.
“Izraeli është shumë shtet, është më shumë se shtet. Palestina është pak shtet, është më pak se shtet. Kërkesa për zgjidhjen me dy shtete është shprehje e kërkesës për barazi”, ka thënë Kurti, raporton Koha.net.
Tutje, kreu i VV-së tha se shumë politikanëve e partive, regjimeve të ndryshme anekënd globit, u bëjmë favor kur i quajmë populistë – “sepse shpesh ata janë veçse racistë ose fashistë ose edhe të dyja këto”.
“Sikurse çlirimi, edhe zhvillimi vjen nga brenda. Mund të ndihmohet prej jashtë, por nuk nis dot prej jashtë. Kësisoj edhe mirëmbahet qasja nga poshtë-lart, nëpërmjet së cilës ruhet prioriteti i socio-ekonomisë mbi gjeopolitikën e që është detyrë e të majtës kudo e kurdo”, potencoi Kurti.