Kurti në Tiranë: I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, atij të Shqipërisë dhe Kosovës, ka thënë se Kosova i gëzohet çdo suksesi të Shqipërisë.
“I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti shtoi se vendet tona ballafaqohen me probleme ku më i mprehti është ai i largimit të të rinjve.
Kryeministri shtoi se mërgimtarët janë mbështetja më e madhe e dy vendeve tona.
“Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund”, tha Kurti.
Sipas tij Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, mirëpo “jo për të penguar, por për të kontribuar”.