Kurti në varrimin e rreshterit të vrarë në veri: Afër Afrimi, larg krimi
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me krimin dhe terrorin nuk ka kompromis, ndaj sipas tij Kosova do të ngadhënjejë përballë strukturave armiqësore, siç qe rasti i djeshëm në Banjskë.
Kurti në ceremoninë e varrimit të rreshterit të vrarë të Kosovës është shprehur se para se ai të varroset si hero në tokën e tij, portreti dhe profili i Afrim Bunjakut do të skalitet në mbamendjen kolektive të popullit tonë.
“Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut, i veshur në uniformën e Policisë së Kosovës është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, drejtësi e të drejta për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim”.
“E heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim, kolegët e tij, policët e Kosovës që i përballën grupet e armatosura kriminale dhe terroriste të Serbisë në veri të Kosovës”.
“Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj. Afër Afrimi, larg krimi. Me terrorin dhe krimin, nuk ka kompromis”, ka thënë Kurti.