Kurti: Në vend se të gjykohen kriminelët e paqes, Gjykata Speciale merret me ‘krimet’ e luftës
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka thënë se ky vit ka qenë përplot korrupsion.
Ai ka thënë se në vend që të gjykohen kriminelët e paqes, shfaqet Gjykata Speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës.
“Ndodhemi në javën kundër korrupsionit të një viti me përplot korrupsion si asnjë tjetër. Dhe, në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet Gjykata Speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës. Sipas Raportit ‘Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës’ publikuar nga PAX, Holandë: ‘Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4 për qind të shqiptarëve dhe 18.9 për qind të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit’”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas Kurtit, luftimi i korrupsionit nuk bëhet nuk u rritur pagat prokurorëve, por duke rritur numrin e prokurorëve të specializuar që dhe nuk iu frikësohen pushtetarëve.
“Nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve. Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar. E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi – ndjellin frikë tek ata!”, ka theksuar Kurti.
/Epoka e re/