Kurti: Në veri ka ndodhur deeskalimi, duhet të parandalohet rieskalimi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur për vizitën që kishte në Greqi në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.
Kurti ka thënë se në këtë takim ka theksuar se njëra prej kritereve të anëtarësimit në Bashkimit Evropian (BE) është fqinjësia e mirë dhe se për këtë duhet të ketë njohje de-jure e de-fakto mes shteteve.
“Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë. Që të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. Dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e rëndësishme njohja reciproke de-jure e de-fakto si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se takimi me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Vlodoymyr Zelensky i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në BE.
Më tutje, Kurti ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës. Ai ka thënë se në veri ka ndodhur deeskalimi.
“Deeskalimi në katër komunat në veri të vendit praktikisht ka ndodhur ndërkohë që Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratislavës. Në prag të Samitit të Berlinit në Tiranë në këtë tetor, takimi në Athinë me pjesëmarrjen e presidentit Zelensky i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në BE. Për Kosovën pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë në pallatin Maximus përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se tani duhet të parandalohet rieskalimi.
“Në takimet bilateral dhe darkën e përbashkët po ashtu theksova se deeskalimi në katër komunat në veri është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët si dhe në anën tjetër i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi. Tani duhet parandaluar rieskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara e të organizuara nga Beogradi zyrtar nuk ka eskalim në veriun e Kosovës”, është shprehur Kurti.