Kurti në veri: Vizituam përmendoren e Zymberit dhe vendin e pritës ku u vra Bunjaku nga terroristë që po fshihen në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar të mërkurën për vizitë në veri të vendit.
Në vizitën që Kurti e kishte në Mitrovicën e Veriut, ka bërë me dije se me kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq, ka biseduar për mbarëvajtjen e punëve atje.
“Me kryetarin Eden Atiq bashkëbiseduam për mbarëvajtjen e punëve këtu. Mbështetje si qeveri për këtë komunë dhe për të gjitha shërbimet që i jepen qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka folur edhe për vizitat në përmendoren e policit të vrarë, Enver Zymberi dhe në vendin ku u vra edhe polici Afrim Bunjaku.
“Vizituam edhe përmendoren e Enver Zymberit që tani do t’i mbushte 45 vjet, por është vrarë, siç e dimë në korrik të 2011. Po ashtu, e vizituam edhe vendin ku ishte organizuar ajo prita kriminale ku është vrarë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar nga paramilitarët dhe terroristë që tash fshihen në Serbi”, ka thënë Kurti.
Kurti në veri ka qenë i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.