Kurti në ‘Western Balkan Conference’: Kosova do të mbetet e izoluar edhe pasi të kalojë pandemia
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurit, ka marrë pjesë në videokonferencën e sotme “Western Balkan Conference” të organizuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, e ku ishin prezentë komisionari evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ministrja për BE-në, Karoline Edtstadler, dhe të gjithë kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, ka theksuar se Kosova do të mbetet e izoluar edhe pasi të kalojë koronavirusi.
“Popullsia e Kosovës është e re dhe energjike prandaj nuk dyshoj se ne mundemi të punojmë shumë. Por, është e domosdoshme që edhe Bashkimi Evropian të punojë dhe të jetë i përkushtuar për neve”.
“Në këtë krizë pandemie ku qytetet e shtetet gjithandej globit po i mbyllin kufijtë e po i izolojnë njerëzit e tyre, ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është liria e lëvizjes. Por kur pandemia të përfundojë, qytetarët gjithandej Evropës do të jenë të gatshëm të lëvizin lirshëm sërish nëpër Evropë, përderisa ne në Kosovë do të mbetemi të izoluar”.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është stërgjatë”, është shprehur Kurti.