Kurti: Nëna Ferdonije, ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë

27 mars 2025 | 11:58

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot (e enjte) kur janë bërë 26 vjet nga rrëmbimi i djemve dhe bashkëshortit të Ferdonije Qerkezit, ka thënë se sidomos në këtë datë “në mendje kemi nënën Ferdonije”.

Kurti ka thënë se nëna Ferdonije e ka një popull të tërë krah saj, ndërsa atë e përshkroi si “ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë”.

“Nëna Ferdonije është simbol i qëndresës sonë kombëtare. Zemra e saj është dëshmia më e fortë e qëndresës njerëzore. Ajo vetë është ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë. Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Familja gjashtë anëtarëshe Qerkezi kishte traditë të bukur: çdo datë të veçantë e shënonte si festë. Kaq falënderues ishin për çdo bekim që jeta u kishte dhënë. Festohej çdo ditëlindje e festë tjetër në familjen e ngushtë, e që ishte mjaft e madhe.

Tash, Nëna Ferdonije e jeton pesëfish vetminë. Katër djemtë dhe burrin nuk i sheh. I mungojnë çdo ditë, mëngjes e mbrëmje. Nuk i ka.

Tash, ajo e ka një popull të tërë krah saj. Ne të gjithë e mendojmë, e kujtojmë dhe bashkëndjejmë me të gjithmonë, por sidomos më 27 mars. Kjo është data që tani shënon Nëna Ferdonije. Dita kur në vitin 1999 ajo pa për herë të fundit pesë anëtarët e familjes, bijtë e saj të shtrenjtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin dhe bashkëshortin e dashur Halimin. Ata u rrëmbyen me dhunë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura të Serbisë.

Shtëpia e familjes Qerkezi tani është muze. Datat që shënohen, janë ditët e kujtesës dhe dhembjes.

Nëna Ferdonije është simbol i qëndresës sonë kombëtare. Zemra e saj është dëshmia më e fortë e qëndresës njerëzore. Ajo vetë është ruajtësja e fuqishme e kujtesës për gjenocidin serb në Kosovë.

Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, njoftoi në mbledhjen e fundit të…