Kurti: Nënshkrimi i dy marrëveshjeve ka ndodhur nga zyrtarë të ish-ministrit Lekaj pa autorizimin e Qeverisë
Sot në Munih të Gjermanisë, përfaqësuesit kosovarë dhe serbë kanë nënshkruar dy marrëveshje, për linjën hekurudhore dhe autostradën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se marrëveshjet janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë.
Më tej ka shtuar se këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje.
“Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka thënë Kurti.
“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, ka theksuar ai.
Kurti ka treguar për rëndësinë e hekurudhës.
“Për më tepër, nëse bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e leverdishme sesa ajo për Merdar”, ka thënë më tej.
Në fund Kurti është shprehur se, “në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”.