Kurti nënshkruan memorandum mirëkuptimi për projekte arsimore me Gjermaninë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të martë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Kerstin Zielosko, kryetare e “Education Unlimited e. V”.
“Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekzistues, përmes këtij memorandumi të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ‘Education Unlimited e. V’, u vendosën parimet kryesore për vazhdim të bashkëpunimit mbi projektin arsimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë”.
“Të dy palët u pajtuan që të kryejnë projekte të përbashkëta në fushën e arsimit, përfshirë, por duke mos u kufizuar, në programe të shkëmbimit për studentë dhe nxënës, projekte kërkimore, programe edukimi dhe trajnime, konferenca arsimore dhe kulturore, për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arberie Nagavci, koordinatorja e projektit, Milote Sadiku dhe udhëheqësi i projektit, Luan Krasniqi.