Kurti: Nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet për sulmin në Banjskë, s’ka dialog
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas paralajmërimeve për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ka thënë se nuk ka dialog nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet pas sulmit në Banjskë.
Këtë deklaratë Kurti e ka bërë një ditë pas ftesës së BE-së për takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.
“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”
“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”, ka thënë Kurti për “Finacial Times”.
Kurti ka akuzuar sulmuesit se “po mundoheshin që të nisnin një konflikt të armatosur të ri, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”.
Ai ka thënë se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t’i kthehemi punës si zakonisht”.
Më tutje, Kurti i ka bërë thirrje emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që të ndalonte “së konsideruari Serbinë si forcë e natyrës, një lloj arushe iracionale të cilës duhet t’i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes e sigurisë”