Kurti: Nga 1 tetori, arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije sot se nga 1 tetori arsimi publik në nivelin bachellor dhe master do të jetë pa pagesë.
Në një konferencë të përbashket për medie me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ai ka treguar se studimet e doktoraturës do të ketë lehtësime.
“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime.Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se sistemi arsimor publik duhet të mbështetet në parimin e solidaritet shoqëror.
Sipas tij, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor.