Kurti: Nga BE-ja s’mora reagim për shkeljet e Serbisë, neni 7 nuk është marrëveshja

16 maj 2023 | 11:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pavarësisht që kanë dorëzuar dokumentin me shkeljet e Serbisë të marrëveshjes bazike dhe asaj të Ohrit, deri më sot nuk kanë marrë një reagim nga Bashkimi Evropian (BE).

Kurti këtë deklaratë e ka dhënë para gazetarëve, derisa ka përmendur se dokumentin e dorëzoi në takimin e nivelit të lartë që u mbajt më dy maj.

“Në takimin e 2 majit të nivelit të lartë, unë i kam dorëzuar një dokument me të gjitha shkeljet e Serbisë edhe të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel, por edhe të marrëveshjes së Ohrit, mirëpo deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim të denoncimit tonë mbi shkeljet e Serbisë”, ka thënë Kurti, raporton “EO”.

Sa i përket takimit të djeshëm në mes të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kryeministri Kurti ka deklaruar se “neni shtatë nuk është marrëveshja” e Brukselit.

“Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi. E ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkretë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në neni 7”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, takimi i djeshëm që është mbajtur në Bruksel nën ndërmjetësimin e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, nuk është se dha ndonjë rezultat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti është…