Kurti nga Gjilani: Prokuroria po e keqpërdorë lirinë për ta luftuar qeverinë

04 mars 2025 | 11:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kurti sot ka marrë pjesë në gurthemelin e një çerdheje në Gjilan.

Ai para mediave ka thënë se nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme, ajo do të shkonte në Kryeministri.

“Në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, nuk humb kohë. Pse i hup Prokuroria tre muaj? Është më shumë e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portalit të oligarkut, se të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Nuk ka qeveri që e ka luftuar korrupsionin e krimin si qeveria jonë në këto katër vite”, ka thënë Kurti nga Gjilani, raporton Ekonomia Online.

“Vëreni se çfarë raste prioritizohen, ka vite të tëra që denoncimet tona nuk trajtohen. Në mars 2021 për një vit e 5 muaj deri në gusht 2022, ministrat e qeverisë që udhëheqë unë kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë. Çka prioritizon Prokuroria, flet për Prokurorinë, e jo për krimin e korrupsionin. Ju e dini që zgjedhjet nuk mbahen për Kryeprokuror, për Kuvend e qeveri. Kryeprokurorët janë aty të barrikaduar si në Prokurorinë Speciale sidomos në KPK dhe kjo është për të ardhur keq. Ky është dëm i vazhdueshëm, padrejtësi e pafalshme që po i bëhet shtetit tonë. Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, nuk kam pse ndryshoj as unë qëndrim”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Selektori i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka…