Kurti nga Lezha: Bashkimin me Shqipërinë na e ndalon Kushtetuta, por do të bashkëpunojmë
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka folur rreth organizimit të referendumit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Ai në përvjetorin e “Besëlidhjes së Lezhës (1444)”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të shqiptarëve nga Tuzi, Maqedonia, Medvegja dhe Bujanovci, ka thënë se momentalisht një hap i tillë është i pamundur për shkak të Kushtetutës së Kosovës.
“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka në kundërthënie Nenin 1.1 me Nenin 1.3… Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, ndërkaq Neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër, në këtë kuptim pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur si Shqipëria, njëkohësisht paraqet edhe pengesë edhe për integrime të llojit tjetër siç është ai evropian, tashmë në Kosovë kur s’kemi ligj për referendum dhe kur s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë dhe do të kalojë ca kohë deri sa të mbërrijmë deri në atë pikë,” tha Kurti.
Kurti evidentoi fushat në të cilat Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë, ndoshta ende më shumë pasi ai të marrë drejtimin e Qeverisë.
“Shqipëria dhe Kosova, si shtete, si institucione, si politika duhet të bashkërendohen drejt bashkimit integrimit, mbi të gjitha në tri fusha kryesore, në atë të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe atë të politikës së jashtme të kombit shqiptar,” tha Kurti.
Mirëqenia e shqiptarëve në rajon dhe padrejtësitë me të cilat ato përballen ishte një tjetër shqetësim ku u ndal lideri i Vetëvendosjes.
“Politikë-bërja te shqiptarët duhet me patjetër t’i rikthehet Lezhës, t’i rikthehet besëlidhjes në mënyrë që edhe të dalim nga vështirësitë që i kanë shqiptarët kudo, por edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë, zhvillimit dhe progresit të cilat nuk e lënë asnjëherë prapa, vetëm mirëqenia për të gjithë është mirëqenie,” tha Kurti.
Besëlidhja e Lezhës, e njohur si Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Princave Shqiptarë të viteve 1444, të cilët dëshironin të shkëputeshin nga lidhja me Perandorinë Osmane e cila krijohej me ndikimin ushtarak osman.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Si organizatorë të kuvendit merret i posa kthyeri nga Stambolli, gjenerali shqiptar në perandorin osmane Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që më këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.
Vendimet e kuvendit ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.
Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.
Për më shumë vite e shekuj, por edhe sot ky Kuvend merret si shembull i krijimit dhe mbajtjeve të kuvendeve me karakteristika shqiptare demokratike, në të cilat vendos shumica e pjesëmarrësve dhe udhëhiqen nga një i ri që respekton mendimet e pleqërisë shqiptare.