Kurti nga Rahoveci premton mbështetje të madhe për prodhuesit vendorë
Lëvizja Vetëvendosje të premten ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Rahovecit, nga ku ka kërkuar që të votohet partia që udhëheqë ai me qëllim që koalicioni PAN të shkojë në pakthim.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Kosovës i erdhi dita të shpëtojë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit.
Kurti ka premtuar se në qeverinë e udhëhequr nga ai, fermeri do mbrohet e do subvencionohet edhe me fondin prej 600 milionë euro. “Dita për fermerin e Rahovecit që ta ketë mbrojtjen dhe kujdesin shtetit tashmë erdhi, ne do ta mbrojmë grantin e katër qeverisës për komunat në vlerë prej 600 milionë eurosh që të rrisim prodhimin vendor të zëvendësojmë importin dhe të rrisim eksportin. Këto qeveritë që kemi pasur deri tani e kanë kursyer buxhetin për ekonomitë prodhuese dhe e kanë shpërdorur atë për lukse qeveritare, por erdhi dita që ta ndalim luksin të luftojmë korrupsionin dhe të rrisim buxhetin”, u shpreh Kurti.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka premtuar ulje të tatimeve e bizneseve prodhuese, si dhe përkrahje për familjet në gjendje të rëndë ekonomike.
Pretendenti për kryeministër të ardhshëm të Kosovës premtoi 160 milionë euro investim në sistemin arsimor. “Ne do ta heqim tatimin për fitim deri në 300 euro sepse askush nuk duhet të paguaj tatim për të mbijetuar. Familjet që kanë mbetur prapa në këtë ekonomi që nuk punëson dhe nuk prodhon, ne do i mbështesim dhe shtesat për fëmijë, me punësim sezonal për një anëtar të familjes dhe me rimbursim vjetor prej 150 euro për secilin fëmijë deri në moshën 16-vjeçare”, ka thënë ai.
Kurti duke iu referuar sloganit të tyre “Erdhi Dita”, ka theksuar se erdhi dita të punohet për shtetin e së drejtës, që lufton monopolin dhe pasurinë e paligjshme.
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se më 6 tetorit do të kthehet shpresa për ndryshim në rend dhe respektin të ligjit, pasi sipas tij, me udhëheqjen e shtetit nga Lëvizja Vetëvendosje do krijohen institucione të afta të sigurisë.
Selimi ka pohuar se me Kurtin në krye të shtetit, Policia e Kosovës do të gëzojë benifitet që i takojnë dhe bëhet polici e dashur për popullin e tmerr për kriminelin.
Kandidati për deputet nga qytet i Rahovecit, Visar Korenica ka thënë se qytetarët më 6 tetor do të ndëshkojnë ata që abuzuan dhe e vodhën shtetin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje tubime elektorale ka mbajtur të premten edhe në Sharr dhe në Viti.
/Epoka e re/