Kurti nga Shkupi flet për dialogun dhe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media në Shkup, pasi ka përfunduar takimi me BE-në lidhur me planin e ri të financimit mbi 6 miliardë eurosh.
Kurti ka thënë se Kosova ka masa të sigurisë ndaj Serbisë, e jo masa tregtare, për shkak të armatimit të vazhdueshëm që hyn nga Kosova.
Ai ka thënë se nuk do të hiqen këto masa, përderisa kanë informacione se grupi terrorist i Banjskës vazhdon të riorganizohet.
“Tregu i përbashkët rajonal është thelbi i procesit të Berlinit, ndërkaq me planin e rritjes do të avancojmë më tej. Do të rritet pjesëmarrja dhe qasja në tregun unik të BE-së. Ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë, por kemi masa të sigurisë, sepse në vitin 2023 tri herë kemi pasur konfiskime masive të armatimit e municionit në veri të Kosovës. MË 23 qershor, 5 shtator dhe 24 shtator, kur na e vranë Afrim Bunjakun. I gjithë ky armatim është prodhuar në Serbi dhe ka ardhur nga Serbia. Grupi paramilitar që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, pjesëtarët janë të lirë në Serbi me në krye Radojiçiqin, masat e sigurisë së Kosovës janë të domosdoshme. Kemi vetëm masa të sigurisë, jo masa tregtare. Për shkak të kontrolleve të shtuara në pika kufitare, ka mundësi që edhe ndërmarrjet e caktuara nuk janë aq të interesuara ta kalojnë kufirin. Masat e sigurisë nuk mund t’i heqim përderisa grupi paramilitar është i lirë, dhe na vijnë informata se si po takohen e riorganizohen pa ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre”, është shprehur Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se nuk ka ndonjë ftesë për takim të nivelit të lartë me presidentin e Serbisë. Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se nuk është kollaj të bisedohet me një shtet si Serbia.
“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit në BE, prej normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E di që në thelb BE-ja e ka fqinjësinë, por edhe ata duhet të na kuptojnë që nuk është kollaj të normalizojmë raportet me dikë që nuk e ka as normalizimin e as demokratizimin shumë për qejf. Sa i përket dialogut më tutje, kjo zhvillohet në relacionin midis kryenegociatorit Besnik Bislimi, dhe lehtësuesit Lajçak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të caktojmë hapat e mëtutjeshëm. Për takimin e liderëve nuk ka diçka të re, për çka ftesa na vjen nga Borrell”, është shprehur Kurti.
Kurti ka folur edhe për anulimin e një konferencë të përbashkët për media që kishte qenë e planifikuar.
“Me të përfunduar takimi u njoftuam se secili shtetas do të paraqitet para gazetarëve të veçantë dhe do të përgjigje. Do të duhej që organizatorët të tregonin pse konferenca nuk është e përbashkët, kjo s’ka të bëj me Ballkanin e Hapur, sepse është Bashkimi Evropian. Ballkani i Hapur nuk është mjaftueshëm evropian, kurse Ballkani Evropian është mjaftueshëm i hapur. Ballkani i Hapur nuk ka kornizë institucionale, nuk ka kontratë, nuk ka kornizë për të zgjidhur mospajtimet, nuk ka transparencë procesi e as informacion të publikuar, nuk i ka as rregullat e BE-së e as financimin e BE-së”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se Vetëvendosja nuk është parti e regjistruar në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo i përket qytetarëve këtu, partive politike nëse do të ketë kandidat. LV-ja nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne aktivistë kemi edhe zyrtarë të partisë tonë që vijnë nga Maqedonia, mirëpo këtu nuk kemi parti të regjistruara, andaj edhe ne si LV nuk është se marrim pjesë këtu. Dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhje sepse kjo i kontribuon demokracisë”, ka thënë Kurti.