Kurti: Nga viti 2021 janë arrestuar 353 persona për trafikim me njerëz, lufta ndaj tyre s’do të mungojë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për më shumë punë me qëllim të luftimit, parandalimit e në veçanti mbrojtjes së viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.
Me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, Kurti ka bërë me dije se vetëm këtë vit në Kosovë janë shënuar 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, prej tyre 11 janë të mitura.
Sipas tij, 11 nga viktimat janë shfrytëzuar për prostitucion të detyruar, tri për punë të detyruar e një për kërkim-lëmosh.
“Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë. Prandaj luftimi i këtij krimi është urgjent e i domosdoshëm. Eliminimi është i vështirë por angazhimi i qeverisë është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimi me qenie njerëzore”, është shprehur Kurti, raporton “EO”.
Kurti ka thënë se viktimat e trafikimit me njerëz janë vendase e të huaja. Sipas tij, viktimat janë trafikuar me premtime për martesë e punësim si valltare e këngëtare dhe i kanë detyruar ato për trafikim seksual në shtëpi, klube nate e sallone masazhi.
“Detyrë e jona si qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, siç janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit e vetëdijes. Për këtë, si qeveri kemi plane konkrete për investime në ekonomi e në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë e në veçanti për grupet më të cenueshme”, është shprehur Kurti.Më tutje, Kurti ka thënë se nga viti 2021 në lidhje me këto veprimtari të kundërligjshme janë arrestuar 353 persona.
“Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse, për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani, ka thënë se kjo dukuri në Kosovë është e pranishme, por janë duke u bërë përpjekje maksimale që të merren masa.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se fokusi i kësaj ministrie do të jetë në riatdhesimin e kategorive që kanë qenë viktimë e trafikimit me njerëz.
Kurse ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se luftimi i trafikimit me qenie njerëzore vazhdojnë ta kenë si prioritet. Kelmendi ka thënë se gjatë vitit 2021, kanë trajtuar 47 raste të kësaj natyre.