Kurti: Nga viti i ardhshëm, gjuha e kodimit do të jetë pjesë e kurrikulave që nga klasa e parë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga viti i ardhshëm shkollor, gjuha e kodimit do të futet në kurrikulat e arsimit në Kosovë, që nga klasa e parë.
Në aktivitetet e Orës së Kodimit me nxënësit e Shkollës Profesionale “Gjin Gazulli” që është mbajtur në kuadër të shënimit të javës së Orës së Kodimit në Kosovë, Kurti ka theksuar se në Kosovë janë 20 mijë profesionistë në fushën e TIK-ut dhe 4 mijë studentë në fakultete e kolegje.
“Janë mbi 1 500 kompani biznesi në Kosovë të cilët operojnë në fushën e teknologjisë së i formacionit dhe komunikimit, ku 3/4 e tyre bëjnë eksporte të shërbimeve për korporatat e fuqishme anë kënd-botës. Janë 20 mijë profesionistë në Kosovë në fushën e TIK-ut dhe katër mijë studentë në fakultete e kolegje”.
“Këtë javë përmes Orës së Kodimit në Kosovë, keni parë zhvillimin e potencialin dhe lindjen e inovacionit për të ardhmen. Edhe talenti i individit vjen në shprehje, por edhe bashkëpunimi nxënësve për produktin e njëjtë. Jemi optimist për suksesin që do ta kemi në të ardhmen sepse qeveria do të fokusohet në transformimin digjital ku e bën më të lehtë dhe më cilësor. Duke e parë interesimin dhe potencialin, prej vitit të ardhshëm, gjuha e kodimit do të futet në kurrikulë sepse nga klasa e parë qysh mësohet gjuha shqipe, ashtu të mësohet edhe gjuha e kodimit”, ka thënë Kurti.
Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi është shprehur se kjo iniciativë është jetësuar për herë të parë në 300 shkolla.
“Ora e Kodimit nisi në vitin 2013 nga organizata ndërkombëtare si një nismë revolucionare në teknologji. Synimi kryesor ishte krijimi i një lëvizje globale që i inkurajon të gjithë të mësojnë kodimin dhe teknologjinë duke filluar nga fëmijëria e hershme. Si Ministri e Arsimit jeni shumë të lumtur që kjo iniciativë u jetësua për herë të parë në këtë vit në mbi 300 shkolla”, ka thënë Kelmendi. /EO